Ndikimi i rënies së euros në ekonominë shqiptare.

Rënia e euros në raport me lekun ka qenë një ndër temat më të diskutuara kohët e fundit në Shqipëri. Pavarësisht se euro nuk është monedha bazë e vendit, ky nënçmim i euros në raport me lekun ka prekur edhe ekonominë shqiptare. Më poshtë do të analizojmë shkurtimisht efektet negative dhe pozitive që rënia e euros ka patur te individët (individët që jetojnë në Shqipëri por me të ardhura në euro, individët me të ardhura në lek, individët ose familjet që jetojnë me remitanca, kredimarrësit, turistët shqiptarë nëpër botë, etj.) dhe bizneset (importet dhe eksportet).
Efektet negative të nënçmimit të euros kundrejt lekut:
  • Individët me të ardhura në euro por që jetojnë në Shqipëri
    • Ulje e fuqisë konsumatore sepse me të njëjtën sasi eurosh do të mund të blejnë më pak lek.
    • Zhvlerësim të kursimeve të tyre në euro kur konvertohen në lek.
    • Norma më të ulëta të ofruara për depozitat në euro.
  • Individët/ familjet që jetojnë me remitanca – është e ditur që një pjesë e konsiderushme e familjeve shqiptare e sigurojnë jetesën nëpërmjet remitancave që vijnë nga të afërmit e tyre që jetojnë jashtë vendit kryesisht nga Italia dhe Greqia. Ky grup ndikohet duke qenë se vlera e të ardhurave të mbërritura në Shqipëri nuk ka më të njëjtën peshë si më parë kur konvertohet në lek.
  • Bizneset:
    • Ndikon negativisht eksportet pasi bizneset kanë kontrata që janë kryesisht në euro dhe një kontratë për të njëjtën vlerë në euro, por e konvertuar në lek vlen më pak.
Efektet pozitive të nënçmimit të euros kundrejt lekut:
  • Individët që kanë të ardhurat në lek mund të përfitojnë nga ulja e çmimit të mallrave të importit, pavarësisht se kjo gjë nuk është reflektuar në masë te konsumatorët dhe pse ka filluar të aplikohet disi nga njësitë e mëdha të tregtisë me pakicë.
  • Individët që kanë të ardhura në lek dhe kanë marrë një kredi në euro përfitojnë nga këstet më të ulëta të shlyerjes. Duke qenë se leku është vlerësuar në krahasim me euron, atëherë me një vlerë më të ulët lekësh, ata mund të blejnë më shumë euro.
  • Gjithashtu individët që kanë pasur dëshirë të udhëtojnë si turistë në vendet e Europës, tashmë kanë mundësinë më të mirë për ta bërë, pasi një biletë ose një rezervim në euro mund sigurohet duke shpenzuar më pak para (këtu janë përfshirë ata individë që të ardhurat e tyre janë në lek)
  • Për sa i përket bizneseve ndikon pozitivisht importet që kryen në euro pasi ato bëhen më të lira. Importet janë shumë të rëndësishme për Shqipërinë, pasi përbëjnë pjesën më të madhe të bilancit të pagesave. 
Për sa paraqitur më lart, mund të themi që nënçmimi i euros ndaj lekut, ka dhënë efektet e tij edhe në ekonominë shqiptare pavarësisht se monedha bazë e Shqipërisë është leku. Në mënyrë ndikimi negativ të jetë sa më i ulët, duhet të merren masat përkatëse nga autoritetet rregullatore në vend. 

Sugjerime mbi tema të tjera

Ndikimi i rënies së euros në ekonominë shqiptare.
Rënia e euros në raport me lekun ka qenë një ndër temat më të diskutuara kohët e fundit në Shqipëri.
Të marrësh një kredi hipotekore apo të jetosh me qira?
Vendimi për gjetjen e një banese për të jetuar është një ndër vendimet më të rëndësishme që duhet të bëjë çdo familje.
Banka digjitale dhe ndikimi i saj në rritjen e përfshirjes financiare
Industria e shërbimeve financiare po pëson ndryshime teknologjike falë produkteve të reja financiare të ofruara online si nga institucionet bankare dhe ato jo bankare.