FRANKFURT (S&P Global Ratings/Agjencia Globale e Vlerësimit të Kreditit), 7 tetor 2025
S&P Global Ratings konfirmoi vlerësimin afatgjatë dhe afatshkurtër të kreditit në ‘BB-/B’ për Bankën Kombëtare Tregtare SH.A. (BKT). Perspektiva është e qëndrueshme. Në të njëjtën kohë, Agjencia konfirmoi për bankën vlerësimin afatgjatë të kundërpartisë për ndërhyrjen e jashtëzakonshme (RCR) në ‘BB’.
• Banka Kombëtare Tregtare SH.A. (BKT) është banka më e madhe në Shqipëri, me një total aktivesh prej 6.9 miliardë dollarësh në fund të dhjetorit 2024. Banka zotërohet 100% nga konglomerati Çalık Holding me bazë në Turqi dhe operon në Kosovë përmes filialit të saj lokal. BKT ka treguar performancë financiare të qëndrueshme, që reflektohet në pozicionin e fortë në treg në të dy vendet ku operon.
• Ekspozimi shumë i lartë ndaj obligacioneve sovrane vendase paraqet rrezik përqëndrimi dhe rreziqet e tregut janë më të mëdha krahasuar me bankat e ngjashme, që janë më të orientuara në huadhënie. Megjithatë, BKT gëzon një pozicion kryesues në tregun e depozitave në Shqipëri, duke siguruar një bazë financimi të qëndrueshme dhe granulare, të mbështetur nga një rezervë e konsiderueshme likuiditeti.
• Ne i kemi caktuar bankës vlerësimin afatgjatë dhe afatshkurtër të kreditit në ‘BB-/B’, si dhe vlerësimin afatgjatë të kundërpartisë për ndërhyrjen e jashtëzakonshme në ‘BB’.
• Perspektiva e qëndrueshme reflekton pritshmërinë tonë që gjatë 12 muajve të ardhshëm, BKT do të ruajë performancën e saj të mirë financiare duke mbajtur cilësinë e lartë të aktiveve dhe kapitalizimin e saj pranë niveleve aktuale.
BKT ka një histori të provuar suksesi dhe një pozicion të konsoliduar në treg.
Banka zotëron 25% të tregut në totalin e aktiveve në Shqipëri dhe 17% në Kosovë, duke ofruar kështu diversifikim gjeografik. Modeli i saj universal bankar ofron shërbime për individë, korporatë dhe thesar, me një portofol të balancuar kredish.
Që nga privatizimi në vitin 2000, BKT ka treguar vazhdimisht performancë të qëndrueshme financiare, duke mbajtur një normë kthimi mbi kapitalin (ROE) mbi 12%, me një mesatare trevjeçare prej 17.5%. Kjo gjithashtu dëshmon për përvojën dhe aftesine e larte drejtuese te menaxhimit te bankës.
Megjithatë, madhësia dhe baza e klientëve të bankës mbeten të kufizuara, duke qenë se popullsia e synuar e Shqipërisë dhe Kosovës është më pak se 5 milionë banorë.
Gjithashtu, modeli i biznesit i BKT-së është i orientuar drejt titujve, të cilët përbëjnë rreth gjysmën e totalit të aktiveve në fund të vitit 2024 dhe rreth 50% të të ardhurave nga interesat.
Ne presim që kapitalizimi të ndjekë ritmin e rritjes së kredive
Ne parashikojmë që huadhënia të rritet me rreth 15% në vit gjatë periudhës 2025–2027, duke tejkaluar mesataren e tregut të brendshëm. Kjo lidhet me strategjinë e bankës për të rimarrë pjesë të tregut në Shqipëri, vecanërisht në huadhënien e korporatave, pas disa viteve me praktika më të kufizuara të huadhënies si pasojë e reduktimit të përkohshëm të parashikueshmerisë juridike pas reformës gjyqësore të vitit 2016.
Ne parashikojmë që raporti i mjaftueshmërise së kapitalit i përshtatur me rrezikun (RAC) prej 6.9% në dhjetor 2024 do të rritet lehtë në 7.0%-7.5% në vitet e ardhshme.
Norma e kthimit mbi kapitalin (ROE) pritet të jetë rreth 17%, me një shpërndarje dividendi prej 35%-40%, që mbështet edhe parashikimin tonë. Ne gjithashtu parashikojmë që kapitali total i përshtatur (TAC) do të përbëhet plotësisht nga kapitali bazë i zakonshëm.
Vlerësojmë se ekspozimi ndaj borxhit sovran vendas përcakton profilin e rrezikut të BKT-së.
Ekspozimi i lartë ndaj obligacioneve sovrane shqiptare – që përbëjnë 27% të totalit të aktiveve dhe 2.7XTAC përbën rrezik të rëndësishëm përqendrimi. Ky ekspozim, edhe pse në përputhje me mesataren e sektorit bankar vendas, është më i lartë se në banka të ngjashme në disa vende të tjera në zhvillim si Kazakistan, Uzbekistan apo Armeni.
BKT gjithashtu përballet me një rrezik më të lartë tregu për shkak të portofolit të madh të mbajtur me vlerë tregu në krahasim me bankat e ngjashme të orientuara në huadhënie.
Kjo vërehet, për shembull, në luhatjet e mëdha të rezervave të vlerës së drejtë, siç është ndryshimi i ndjeshëm i regjistruar në vitin 2022 për shkak të rritjes së normave të interesit. Megjithatç, ne vlerësojmë se banka ka dëshmuar aftësi të konsoliduara në menaxhimin e këtyre rreziqeve dhe ndjek politika të forta në menaxhimin e tyre.
Cilësia e aseteve të BKT-së mbetet e fortë, e mbështetur nga standarde të larta të kreditimit.
Në fund të vitit 2024, raporti i kredive me probleme të BKT Shqipëri (NPL) ishte 2.5% (nën mesataren kombëtare prej 4.2%) dhe 1.2% në BKT Kosovë (nën mesataren prej 1.9%).
Portofoli i kredive hipotekore ka një raport mesatar të ponderuar vlera e kredisë/vlera e kolateralit (LTV) prej 57% në BKT Shqipëri, duke ofruar një mburojë të fortë ndaj luhatjeve të mundshme të tregut të pasurive të paluajtshme, sidomos duke konsideruar rritjen e çmimit të banesave në vend përgjatë vitit 2024.
Ekspozimi ndaj huave në monedhë të huaj të pa mbrojtur ndaj rrezikut të kursit të këmbimit është i kufizuar në më pak se 10% të portofolit total per BKT Shqipëri. Ekspozimi ndaj palëve të lidhura është i ulët, vetëm 7% e TAC me një ndikim të papërfillshëm në të ardhura.
Për rrjedhojë, ne parashikojmë kosto të rrezikut prej 50 deri në 60 pikë bazë (bps) gjatë viteve 2025–2027, në linjë me pritshmëritë tona për mesataren e sektorit vendas.
Sipas mendimit tonë, BKT përfiton nga një bazë e fortë dhe e qëndrueshme e depozitave.
BKT zotëron një pjesë të konsiderueshme prej 25% në tregun e depozitave të klientëve në Shqipëri - tregun e saj kryesor - dhe e ka ruajtur këtë pozicion përgjatë dekadës së fundit.
Baza e depozitave është granulare ku 75%-80% e tyre vijnë nga klientët individualë, të cilët janë më të qëndrueshëm dhe më pak të ndjeshëm ndaj ndryshimeve të çmimeve krahasuar me bizneset.
Për rrjedhojë, rreziku i përqëndrimit është i ulët, sepse 20 depozituesit më të mëdhenj përbëjnë vetëm 5% të totalit të depozitave. Për më tepër, 40% e depozitave janë me afat maturimi të mbetur prej të paktën tre muaj, duke rritur më shumë stabilitetin. Treguesit e financimit të BKT-së e pozicionojnë atë në krye të bankave të ngjashme, me një raport financimi të qëndrueshëm prej 230% dhe një raport kredi mbi depozita prej 33% në dhjetor 2024, duke treguar një kapacitet të lartë për të mbështetur rritjen e huadhënies. Gjithashtu, raporti rregullator i financimit të qëndrueshëm neto prej 199% në dhjetor 2024 mbështet pozicionin e fortë të financimit të bankës.
Rezerva e konsiderueshme e likuiditetit të Bankës thekson pozicionin e saj të fortë sa i takon likuditetit.
Në dhjetor 2024 aktivet likuide përbënin 59% të totalit të aktiveve dhe aktivet likuide neto mbulonin 77% të depozitave afatshkurtra të klientëve, duke treguar një nivel të kënaqshëm likuiditeti.
Një pjesë e konsiderueshme e aktiveve likuide përbëhen nga obligacione sovrane vendase, të cilët kanë likuiditet të kufizuar në tregun dytësor. Megjithatë, këto obligacione mund të përdoren si kolateral për të siguruar financim nga banka qendrore, me haircut specifik.
Gjithashtu, BKT zbaton procedura të forta të ushtrimit të stresit të likuiditetit për të siguruar rezerva të mjaftueshme edhe në skenarët e rënduar të flukseve dalëse të depozitave.
Ne nuk presim mbështetje të jashtëzakonshme nga grupi apo ndërhyrje negative nga pronari.
BKT zotërohet 100% nga Calik Holding, një konglomerat me bazë në Turqi që operon në sektorët e energjisë, ndërtimit, industrisë tekstile, bankingut dhe fusha të tjera. Përmes pagesës vjetore të dividentit, BKT kontribuon me rreth 10% në EBITDA-n e kompanisë mëmë. Duke marrë parasysh performancën e qëndrueshme dhe të konsoliduar të bankës, kuptojmë se ajo është e rëndësishme për strategjinë afatgjatë të Çalık Holding.
Ne konsiderojmë BKT-në si një filial me rëndësi strategjike të moderuar për Calik Group. Ne jemi të vetëdijshëm se grupi mund të ketë një ndikim disi negativ mbi bankën, duke qenë se bankingu është një biznes i ndjeshëm ndaj besimit.
Megjithatë, ne e shohim BKT-në si rezistente ndaj stresit brenda grupit duke patur parasysh elemente si mungesa e mbivendosjes së markës, mungesa e ndërlidhjeve të rëndësishme në franchise apo klientelë, lidhje minimale financiare dhe operacionale me anëtarët e grupit, mungesa e varësisë nga financimi, kufizimet rregullatore, dhe fakti që banka është pozicionuar për një proces ndërhyrjeje të jashtëzakonshme të ndarë.
BKT-ja ka kapacitet të kufizuar shtesë për përthithjen e humbjeve (ALAC) për të mbështetur borxhin e pasiguruar senior.
Për shkak të rëndësisë sistemike që ka në Shqipëri, banka është caktuar të jetë subjekt i ndërhyrjes të jashtëzakonshme dhe strategjia e preferuar është rikapitalizimit nga brenda. Kërkesa për kapital dhe detyrime të pranuara (MREL) prej 30.1% zbatohet vetëm në nivel individual dhe po zbatohet gradualisht deri në dhjetor 2027. Prandaj, parashikojmë që në rastin e pamundësisë për të vazhduar aktivitetin, subjekti shqiptar do të ndahej nga filiali në Kosovë dhe nga kompania mëmë. Ndërkohë që BKT-ja ka filluar të emetojë detyrime të pranuara për MREL, nuk presim që të krijojë një rezervë të mjaftueshme të instrumenteve të borxhit të nënrenditur të pranueshëm për ALAC. Kjo kryesisht sepse mjeti kryesor i bankës për përmbushjen e kërkesave MREL - obligacionet e pranueshme për MREL - klasifikohen si borxh i pasiguruar senior. Megjithatë, në analizën tonë fokusohemi te emetimet e nënrenditura, të cilat mund të shërbejnë si mbrojtje për investitorët e borxhit të pasiguruar në rast ndërhyrje të jashtëzakonshme. Si pasojë, parashikojmë që raporti ALAC i BKT-së të jetë 0.5%-0.6% deri në vitin 2027, ndjeshëm më poshtë se pragu ynë prej 2.5% për rritje me një shkallë."
Ne kemi caktuar vlerësimin tonë 'BB' për RCR -në e bankës.
RCR-ja është një opinion me perspektivë për të ardhmen mbi rrezikun relativ të dështimit të disa detyrimeve, veçanërisht atyre që janë të përjashtuara ligjërisht nga mekanizmi i rikapitalizimit nga brenda, dhe që mund të jenë më të mbrojtura nga dështimi në një skenar efektiv ndërhyje të jashtëzakonshme, krahasuar me detyrimet e tjera senior. Depozitat e klientëve në Shqipëri janë të përjashtuara nga rikapitalizimit nga brenda, gjë që kufizon shkallën e borxhit të pranueshëm për rikapitalizimit nga brenda që mund të përdoret për të rikapitalizuar bankën. Kjo kufizon mundësinë për rritje të RCR-së me vetëm një shkallë.
Perspektiva e qëndrueshme pasqyron pritshmërinë tonë që, gjatë 12 muajve të ardhshëm, BKT do të ruajë performancën e mirë financiare sa i takon pozicionit të fortë në treg dhe bazës së qëndrueshme të depozitave, duke ruajtur cilësinë e mirë të aktiveve dhe kapitalizimin pranë niveleve aktuale.
Ne mund të ulim vlerësimin për BKT nëse:
- Performanca financiare ose pozicioni në treg dobësohet ndjeshëm;
- Cilësia e aktiveve përkeqësohet ndjeshëm, duke rënë nën mesataren vendase në dy tregjet kryesore të bankës; ose
- Qëndrueshmeria e depozitave dhe pozicioni i likuiditetit dobësohen krahasuar me nivelet aktualisht të forta.