Ceremonia e Inagurimit “Dega Çorovodë”.
Tiranë, Shqipëri (7 Prill, 2017) – Banka Kombëtare Tregtare (BKT) organizoi ceremoninë e inagurimit të degës së saj më të re, “Dega Çorovodë”. Në ceremoni ishin të pranishëm, Kryetar i Kuvendit Z. Ilir Meta, Kryetar i Bashkisë Çorovodë Z. Nesim Spahiu, Drejtori i Përgjithshëm dhe Anëtar i Bordit të BKT, Z. Seyhan Pencabligil, Deputetë të zonës, përfaqësues të Pushtetit Vendor, klientë, sipërmarrës dhe përfaqësues të komunitetit lokal.
Të pranishmit u përshëndetën nga Kryetari i Bashkisë Çorovodë, Z. Spahiu, i cili përgëzoi BKT-në për investimin e realizuar dhe ofrimin e një mundësie të shkëlqyer për të gjithë qytetarët e Çorovodës dhe rajonit të Skraparit.
Në fjalën e tij, Kryetari i Kuvendit, Z. Meta, nënvizoi zhvillimet ekonomike të rajonit të Skraparit dhe mundësitë e reja që BKT, përmes shërbimeve cilësore dhe profesionale, do të ofrojë për sipërmarrësit lokalë duke ndikuar pozitivisht në zhvillimet ekomomike të rajonit.
Z. Pencabligil shtoi se: “ Përkrah ofrimit të një game shumë të gjerë dhe të larmishme produktesh dhe shërbimesh, BKT bazuar në besimin e plotë mbi stabilitetin aktual ekonomik dhe perspektivën ekonomike të vendit, ndryshe nga konkurrentët tanë, vazhdon me strategjinë për të zgjeruar rrjetin e degëve në territorin e Shqipërisë”. Ai i shprehu mirënjohjen e tij personale, zotit Spahiu, për mbështetjen tërësore të treguar në realizimin e këtij investimi dhe shtoi se "Unë jam i bindur, bazuar në përvojat tona të mëparshme, se ky investim do të ofrojë përfitime të mëdha për ekonominë lokale dhe për të gjithë qytetarët e Çorovodës dhe të rajonit të Skraparit".
BKT, e themeluar në 1925, është banka më e madhe dhe më e vjetër në Shqipëri, me 3.1 miliard dollarë asete dhe 2.4 miliard dollarë depozita. BKT u shërben klientëve të saj nëpërmjet një rrjeti prej 93 degësh, 67 prej të cilave ndodhen në Shqipëri dhe 26 në Kosovë, duke e bërë BKT-në bankën më të madhe shqiptare në rajon.