Lajmërime

Intervistë me Z. Seyhan Pencabligil, Drejtor i Përgjithshëm dhe Anëtar Bordi i BKT
Dhënë për revistën Monitor, 25 Shtator 2023
 
 
Si ka qenë ecuria e BKT gjatë vitit 2022 dhe pjesën e deritanishme të 2023?
 
Gjatë vitit 2022, BKT ka patur një rritje të fortë, me 21% rritje në portofolin e kredive individuale dhe 13% rritje në depozita. Ne realizuam një kthim nga kapitali prej 19.1%, në monedhën USD, një tregues i lartë përfitueshmërie ky në përputhje me mesataren tonë historike. E njëjta tendencë vijon edhe përgjatë vitit 2023, me një BKT të vendosur për të patur një tjetër vit të suksesshëm që reflekton arritjet e vitit të mëparshëm. Banka vijon të mbajë një pozicion udhëheqës në shumë fusha duke përfshirë këtu madhësinë e aktivit, depozitat, nismat dixhitale, biznesin e pagesave dhe kredinë hipotekore. Një tjetër pikë e rëndësishme është edhe përmirësimi i vazhdueshëm i portofolit të kredive me probleme, duke forcuar kështu edhe më tej bilancin e bankës. Angazhimi ynë i vazhdueshëm drejt dixhitalizimit po shpërblehet, me rritje të shpejtë të përdorimit të kanaleve dixhitale edhe pse përdorimi i parasë fizike në vend mbetet ende në nivele të larta.
 
 
Cilat janë pritshmëritë për periudhën në vijim dhe 2023?

Viti 2023 ka qenë një vit i favorshëm për sistemin bankar për sa i përket përfitueshmërisë.
Me rritjen e normave të interesit veçanërisht ne Euro, marzhet e kredisë kanë patur një trend rritës. Megjithatë kjo ka patur një efekt frenues në kërkesat për kredi të reja. Klientët, të mësuar me norma interesi jashtëzakonisht të ulëta e kanë të vështirë të përshtaten në këtë mjedis të ri, dhe kjo po ndikon në pasqyrat e të ardhurave të bankës dhe gjithashtu edhe në yield- et e investimeve.
 
Përgjatë periudhës me rritje të normave të interesit, disa klientë mund të përballen me kthime negative nga investimet si p.sh fondet e përbashkëta. Gjithashtu ka edhe një ndryshim më tregun e depozitave në Lekë, i cili tanimë ndikohet nga konkurrenca midis depozitave dhe bonove të thesarit apo obligacioneve, duke devijuar kështu nga sjellja tipike e këtij produkti. Një tjetër anomali e vërejtur është rritja e luhatshmërisë në kurset e këmbimit. Bankat, në varësi të shpërndarjes së portofolit (kredi, depozita, aktive etj.) sipas monedhës, mund të raportojnë rritje ose tkurrje edhe në rastin kur gjithë shifrat e tjera mbeten të pandryshuara.
 
Transformimi dixhital mbetet një prioritet për bankat në përpjekjet e tyre të përshtaten me kërkesat e klientëve, pritshmëritë e të cilëve po rriten me një shpejtësi të madhe. Klienti i sotëm parapëlqen ndërveprimet në kohë reale dhe jo procese të stërzgjatura dhe tashmë këto pritshmëri nuk kanë të bëjnë më vetëm me standardin lokal; klientët kërkojnë standarde ndërkombëtare.
 
Gjithashtu është krijuar një frymë bashkëpunimi në rritje midis shtetit dhe sektorit bankar, me të dyja palët të prirura të rrisin dhe përmirësojnë shërbimet për qytetarët – një zhvillim ky që nënvizon një objektiv të përbashkët midis institucioneve financiare dhe sistemit bankar.  
 
 
Ekonomia shqiptare ka kaluar disa goditje si tërmeti dhe më pas kriza e çmimeve. Si e kanë ndikuar këto dukuri ecurinë e performancës së bankës dhe të kredive me probleme?
 
Ekonomia shqiptare ka kaluar të gjitha testet dhe ka treguar fleksibilitet në përthithjen e vështirësive financiare. Pas tërmetit, shteti përdori burimet e veta për të zbutur ndikimin financiar, duke i mundësuar sektorit bankar disa avantazhe në lidhje me provigjionet dhe më shumë garanci. Bankat bashkëpunuan me qeverinë dhe Bankën e Shqipërisë për të lehtësuar barrën tek klientët, veçanërisht tek ata të biznesit. Kjo frymë bashkëpunuese ishte njësoj e dukshme gjatë masave shtrënguese të periudhës së Covid-19. Në sektorin bankar ne gjithmonë përgatitemi për skenarin më të keq për të shmangur surpriza të padëshiruara dhe kjo përqasje e kujdesshme ndihmoi në stabilitetin e sektorit. Pavarësisht rritjes së normave të interesit dhe një periudhe me inflacion të lartë, performanca reale e sektorit dhe tendenca e kredive me probleme kanë qenë pothuajse të qëndrueshme. Ndërkohë treguesit e BKT për kreditë me probleme kanë qenë konsistente edhe pse vihet re një rritje margjinale në treg tek portofoli i kredive jo performuese.
 
Sa problem është bërë për ju gjetja e fuqisë punëtore të kualifikuar dhe si po e zgjidhni (nëse keni) problematikën e mungesës së personelit?
 
Kërkesa për burime njerëzore të mirë arsimuar dhe të kualifikuar është një sfidë me të cilën po përballen të gjithë sektorët në Shqipëri, jo vetëm sektori bankar. Emigrimi dhe sidomos largimi i trurit janë dy nga faktorët që po ndikojnë sistemin bankar. Periudha pas Covid-19 ka qenë veçanërisht sfiduese për shkak të rritjes së kërkesave për emigrim, që ishte shtyrë prej të paktën 1 viti. Gjithsesi gjatë vitit 2022 shifrat u kthyen në nivelet standarde. Për të kultivuar një fuqi punëtore të kualifikuar ne kemi ndërmarrë një sërë bashkëpunimesh me disa universitete. Partneriteti me Universitetin New York të Tiranës (Banking i Aplikuar), Fakultetin e Shkencave Të Natyrës (Master në Fintech) dhe Fakultetin Ekonomik është objektivi ynë kryesor për të siguruar drejtim të suksesshëm të fuqisë punëtore. Për më tepër, ne po investojmë vazhdimisht në përmirësimin e aftësive të stafit tonë duke rritur aftësitë e tyre për të plotësuar pozicionet e lira së brendshmi.
 
Si kanë ndikuar në ecurinë e aktivitetit ndryshimet demografike (emigracioni, plakja graduale e popullsisë) dhe si pritet të ndikojnë në të ardhmen?
 
Ndërkohë që Shqipëria ka ende një popullsi relativisht të re në krahasim me perëndimin, emigracioni po ndikon negativisht në të dhënat demografike. Në disa fusha specifike ku kërkohet një ekspertizë më e specializuar, mbajtja e një ekipi të qëndrueshëm është bërë gjithnjë edhe me sfiduese. Megjithëse situata është e menaxhueshme për momentin, është thelbësore që të ndërmarrim hapa për t’a bërë vendin tonë më tërheqës jo vetëm për qytetarët tanë por gjithashtu edhe për shtetas të huaj të kualifikuar, duke siguruar themelet për një rritje të qëndrueshme.
 
 
Cilët janë disa nga sektorët që shikoni më me potencial për të kredituar në të ardhmen?
 
Fokusi kryesor në BKT është kryesisht në segmentin e individëve dhe bizneseve të vogla e të mesme. Në lidhje me kredidhënien për korporatat ne financojmë në mënyrë selektive, veçanërisht projekte të rëndësishme infrastrukturore dhe energjitike.
 
Ndërtimi rezidencial po vijon të rritet me shpejtësi. Sa efektive e gjykoni orientimin e modelit të ekonomisë shqiptare drejt këtij sektori dhe sa të ekspozuara janë bankat nga një rënie e mundshme e çmimeve të pasurive të paluajtshme?
 
Gjatë dekadës së fundit, ne kemi parë vazhdimisht një kërkesë të fortë në sektorin e ndërtimit rezidencial, me çmime që kanë tendencë të vazhdueshme në rritje, që kanë ardhur si pasojë e rritjes së kostos së materialeve të ndërtimit dhe të taksave apo detyrimeve shtesë.
 
Fillimisht ekzistonte një shqetësim në lidhje me mbiofertën dhe stanjacionin brenda industrisë së ndërtimit. Megjithatë rritja e konsiderueshme në sektorin e turizmit, sidomos pas Covid-19, i ka zbutur relativisht këto shqetësime. Ka një kërkesë të konsiderueshme veçanërisht për prona në zonat bregdetare. Fluksi i blerësve të huaj mund të nxisë më tej rritjen e çmimeve duke vonuar stabilizimin e tyre. Gjithsesi duhet përmendur që çdo faktor i paparashikueshëm, i brendshëm apo i jashtëm, si p.sh pandemi, kufizime në lëvizjen e lirë ose sanksione të tjera mund të ndërpresë këtë trajektore pozitive dhe të krijojë një efekt domino negativ.
 
Cilat janë disa nga planet e bankës tuaj për të ardhmen?

Qëndrueshmëria mbetet prioriteti ynë kryesor. Ne jemi të angazhuar në një strategji shumë të mirëmenduar të menaxhimit të aktiveve që na sigurojnë të kemi një cilësi të lartë të tyre. Duke mitiguar riskun dhe diversifikuar portofolin tonë ne synojmë të shmangim përqëndrimin dhe të minimizojmë luhatjet. Dixhitalizimi është një nga shtyllat kryesore të strategjisë sonë të qëndrueshmërisë, ne do të përmirësojmë të gjitha shërbimet tona me ndihmën e teknologjisë dhe gjithashtu do të pozicionohemi si lojtarë kyç në fushën e Fintech. Për më tepër, ne jemi duke eksploruar në mënyrë aktive mundësi për zgjerim ndërkombëtar. Dega jonë në Kosovë, që tanimë është banka e tretë më e madhe dhe shumë fitimprurëse, është dëshmia më e mirë që ne mund të aplikojmë modelin tonë të suksesshëm në vende të tjera.

Lajmet e tjera

Banka Kombëtare Tregtare vlerësohet nga Global Finance si ‘’Banka më e mirë në Shqipëri për vitin 2024’’
Global Finance shpalli çmimet e saj për të 31-in vit radhazi për bankat më të mira në Evropën Qendrore dhe Lindore për vitin 2024.
Emea Finance vlerëson Bankën Kombëtare Tregtare për të trembëdhjetën herë me 4 çmime të rëndësishme
Banka Kombëtare Tregtare është vlerësuar si "Banka më e Mirë në Shqipëri" dhe "Banka më Novatore".
BKT feston rihapjen e degës historike në Durrës
Sot më datë 23 nëntor në qytetin e Durrësit u festua rihapja e degës historike të BKT në këtë qytet.